Përdorimi që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po ua bën parave të taksapaguesve kosovarë në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, është kritikuar sot në masë të madhe.
Matematikani kosovar që ka studiuar në Universitetin e Kembrixhit dhe Yale, Leart Ajvazaj, vendimin e Kurtit për ndarjen e 100 eurove për pensionistët e fëmijët, e ka cilësuar si një “çmenduri” të një njeriu që në jetën e tij nuk i ka fituar një euro.
Ajvazaj në një shkrim në profilin e tij në ‘facebook’ ka thënë se shteti mbledh taksat për të kryer punë të cilat nuk mund t’i bëjnë individët, siç janë rrugët, spitale e shkollat, por jo për t’i dhënë ndihma tek fëmijët e pleqtë.
Ai ka thënë se Kurti paaftësinë e vetë për të kryer punë e ka reduktuar në proces të transferit bankar.
“Çmenduria e një njeriu që nuk e ka fituar 1 euro në jetën e tij me punë. Shteti mbledh taksa për të përfunduar punë që individët nuk munden t’i koordinojnë (rrugë, spitale, shkolla, etj.), jo për të dhënë ndihma për fëmijë e pleq. I paaftë për të përfunduar punë, ky qeverisjen e redukton në transfertë bankare. Merrja paratë prindërve për t’ua dhënë fëmijëve si ndihmë. Ndërkohë, ata fëmijë janë viktima të sistemit më të dobët arsimor në Evropë. Merrja paratë punëtorëve për t’ua dhënë pleqve. Ndërkohë, ata do të vdesin në sistemin më të dobët shëndetësor në Evropë. Nëse nuk je parazit i sektorit publik, çka merr për lekët që t’i merr shteti në çdo rrogë dhe çdo blerje?”, ka shkruar Ajvazaj.










