Shkruan Hisen Berisha
Në dekadën e fundit, energjia është shndërruar në instrumentin më efikas të pushtetit gjeopolitik. Ajo ka zëvendësuar konceptin klasik të pushtimit me varësinë sistemike. Në këtë rrafsh, Kosova përbën një rast të veçantë, jo pse është prodhues apo eksportues i madh, por sepse përmes saj projektohet ndikimi dhe kufizohet sovraniteti energjetik i gjithë rajonit.
Dilema thelbësore është e qartë, Albin Kurti erdhi në pushtet si pjesë e një arkitekture të re të varësisë energjetike, që shërbente interesave ruso-evropiane dhe pengonte strategjinë amerikane për stabilitet energjetik dhe zhvillim të Ballkanit.
Dilema që lind është thelbësore: a ka qenë Albin Kurti pjesë e një komploti ruso-evropian energjetik ndaj Kosovës, i ndërtuar për ta penguar strategjinë amerikane të sigurisë dhe zhvillimit në Ballkan?
Kjo arkitekturë është rezultat i një përplasjeje të thellë midis Doktrinës Trump, e cila kërkonte disiplinimin e Evropës dhe çlirimin e rajonit nga ndikimi rus, dhe politikës evropiane të kapur nga varësia energjetike e Moskës.
Kurti u ngrit në këtë kontekst si produkt i kompromisit strategjik midis strukturave të BE-së dhe trashëgimisë së ndikimit rus në kontinent.
BE si vektor i interesit rus
Nga viti 2001 deri në shpërthimin e luftës në Ukrainë (2022), Evropa zyrtare rrëshqiti në një varësi gjithnjë e më të thellë nga energjia ruse.
Projekti Nord Stream, dominimi i Gazprom-it dhe nënshtrimi i tregjeve energjetike të BE-së nën presionin e Moskës e zhvendosën kontinentin nga autonomia strategjike drejt varësisë strukturore.
Në këtë kontekst, BE jo vetëm që nuk u tregua aleate e qartë e strategjisë amerikane për diversifikim energjetik, por në shumë raste u bë instrument pasiv i penetrimit rus.
Në Ballkanin Perëndimor, kjo politikë u manifestua përmes projekteve të zvarritura, planifikimeve burokratike dhe shmangies sistematike të iniciativave të udhëhequra nga SHBA.
Nga qershori i vitit 2019 deri në tetor 2022, BE përgatiste planin për gazifikimin e Kosovës, duke i integruar qeveritë e Kosovës, përfshirë Haradinajn, Hotin dhe më pas Kurtin, në rrjetin e saj të kontrolluar energjetikisht, i cili nuk ishte i lidhur me furnizimin amerikan.
Në këtë fazë, BE funksiononte si vektor i interesit rus, pasi gjithë infrastruktura e saj energjetike ishte e ndërtuar mbi varësinë afatgjatë nga gazi rus, duke krijuar ndikim tërthorazi edhe mbi Ballkanin.
Përplasja SHBA-BE dhe refuzimi i projekteve amerikane
Në vitin 2017, SHBA, përmes kompanisë Counter Global, propozoi ndërtimin e termocentralit të ri në Kosovë, një projekt kyç për pavarësinë energjetike dhe shkëputjen nga rrjetet serbo-ruse.
Ky projekt u refuzua nga qeveria Kurti, Kosova u dënua në arbitrazh mbi 20 milion €, dhe vendi mbeti peng i importit të energjisë, përfshirë asaj nga burime që gjenerojnë prej orbitës ruse.
Ky ishte projekti i vetëm që garantonte shkëputjen përfundimtare të Kosovës nga ndikimi rus përmes zinxhirit energjetik serb.
Përveç termocentralit, SHBA kishin planifikuar edhe projektin e gazifikimit, i cili do ta siguronte Kosovën me furnizim të qëndrueshëm amerikan dhe do ta integronte në infrastrukturën rajonale të energjisë.
Refuzimi i Kurtit në shtator 2021 dhe heshtja ndaj planit paralel të BE-së për gazifikim treguan një qasje strategjikisht të orientuar nga Brukseli dhe Berlini, dhe në thelb, nga interesi i Rusisë për të mbajtur ndikim indirekt mbi Ballkanin.
Rivendosja e ekuilibrit antiamerikan dhe roli i Kurtit
Albin Kurti erdhi në pushtet në momentin kur tensionet SHBA-BE për sigurinë energjetike ishin të qarta.
Ai u projektua si lider “antikorrupsion” dhe “sovranist”, por në thelb përfaqësonte një reaksion politik ndaj trashëgimisë proamerikane të pasluftës.
Mbështetja e heshtur dhe simbolike e Merkelit dhe Macronit nuk ishte thjesht politike, por strukturore. Kurti u profilizua politikisht si instrument për të rivendosur ekuilibrin antiamerikan në rajon.
Angela Merkel, me trashëgiminë e saj të butësisë ndaj Rusisë dhe ndërtimit të Nord Stream, dhe Emmanuel Macron me politikën e tij dallueshëm të dukshme proserbe, krijuan kornizën diplomatike që favorizonte një Kosovë të dobësuar në raport me SHBA-në dhe të lidhur me projektet energjetike të varësisë, ku Kurti u ngjit në pushtet dhe garantoi vazhdimin e statusquo-së energjetike dhe politike.
Pra, Kurti u paraqit si lideri ideal për këtë doktrinë evropiane, antiamerikan në qëndrime, me retorikë të majtë populiste dhe i gatshëm të integrohej në projektet energjetike të BE-së në Ballkan.
Momenti i ekspozimit strategjik
Vendimi i Qeverisë Kurti, në vitin 2021, për të refuzuar projektin amerikan të gazifikimit dhe për të heshtur ndaj projektit paralel të BE-së nuk ishte vendim teknik. Ai ishte vijim i një doktrine të orientuar drejt BE-së dhe, indirekt, për ti shërbyer interesave ruse në rajon. Dokumentet e BE-së për gazifikimin e Kosovës, të përfunduara në tetor 2022, e kishin integruar vendin në një model varësie energjetike që shmangte plotësisht SHBA-në.
Refuzimi i projektit MCC në pjesën e gazifikimit ishte kulmi i kësaj linje.
Në aspekt gjeopolitik, kjo përputhej me interesat burokratike të BE-së dhe përmes saj Moska e përfitonte, një Kosovë të pa ankoruar në sistemin energjetik amerikan dhe e zhytur në status quo të varësisë energjetike.
Refuzimi i projektit MCC në komponentin e gazifikimit ishte kulmi i një orientimi që i shërbente jo pavarësisë energjetike, por ruajtjes së status quo-së së BE-së në një kohë kur burokracitë evropiane ishin ende nën ndikimin e politikave energjetike të ndërtuara mbi gazin rus.
Statusquo-ja e qëllimshme dhe ndërmjetësimi evropian
Vendimi për të refuzuar gazin amerikan dhe për të mos zbuluar publikisht planin e BE-së për gazifikim nuk ishin akt i izoluar burokratik. Ato përfaqësonin një linjë të qëndrueshme politike, pra, asnjë orientim të qartë proamerikan, asnjë strategji për pavarësi reale, asnjë projekt që do të siguronte sovranitet energjetik. Në vend të kësaj, Kosova mbeti në një statusquo të varësisë, gjendje ideale për ndikimet ruso-evropiane.
Ndërmjetësimi i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, përmes Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, funksionoi si instrument i ruajtjes së kësaj gjendjeje, ku zvarritja e dialogut dhe moszgjidhja e çështjeve kyçe energjetike dhe politike siguronin kontrollin e hapësirës energjetike dhe ekonomike nga struktura evropiane nën ndikimin rus.
Borrell dhe Lajçak nuk menaxhonin vetëm dialogun, por garantonin kohën ‘“statusquon” që BE-së i nevojitej për ta konsoliduar kontrollin energjetik në rajon përballë strategjisë amerikane. Prandaj ishte udhëzim i prerë i DASH, se statusqu-oja i shërben vetëm interesave ruse e serbe në rajon.
Doktrina amerikane dhe përplasja globale me Evropën e varur
Doktrina Trump që nga viti 2017, dhe strategjia amerikane për Ballkanin synonte shembjen e varësisë evropiane nga Rusia, izolimin e Rusisë dhe rivendosjen e kontrollit energjetik në Evropë, duke e rikthyer kontrollin energjetik te SHBA.
Kjo doktrinë u përplas me rezistencën e burokracisë së Brukselit dhe me strukturat e lidhura me varësinë energjetike të Moskës.
Kosova u kthye në skenë dytësore të kësaj përplasjeje globale, ku SHBA kërkonte stabilitet dhe shkëputje nga ndikimi rus, ndërsa BE e ndikuar nga Rusia kërkonte shtyrje të stabilitetit dhe ruajtje të varësisë së rajonit.
Strategjia amerikane ishte e gjerë, dhe fokusi ishte te sigurimi i pavarësisë energjetike, promovimi i projekteve infrastrukturore, dhe disiplinimi ekonomik dhe politik i BE-së, që po devijonte nga partneriteti me SHBA.
Kosova, si skenë dytësore e përplasjes, u bë test i drejtpërdrejtë i këtyre strategjive.
Politika e Kurtit e në këtë kuadër, refuzimi i projekteve amerikane dhe heshtja ndaj planit të BE-së, funksionoi si ndërmjetës pasiv i interesave ruso-evropiane, duke minuar sovranitetin kombëtar, stabilitetin energjetik dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Doktrina Trump synonte pikërisht çmontimin e varësisë evropiane nga Rusia, duke e pozicionuar Kosovën si nyje strategjike të pavarësisë energjetike të rajonit.
Ndërmjetësi i heshtur i interesave të BE-Rusis
Në këtë mozaik interesash, Albin Kurti ka vepruar si ndërmjetës pasiv i një strategjie që de facto i shërben Moskës.
Refuzimi i projekteve amerikane, përfshirja në planet e BE-së të konceptuara gjatë periudhës së varësisë energjetike evropiane ndaj Rusisë, dhe retorika e tij antiamerikane në momente kyçe e bëjnë atë vektor politik të një agjende të huaj, që neutralizon ndikimin strategjik amerikan dhe forcon varësinë nga sistemi energjetik serbo-rus.
Kjo nuk e bën agjent klasik, por e shndërron në instrument të një arkitekture që dëmton interesin kombëtar të Kosovës dhe e dobëson lidhjen me SHBA-në.
Energjia si provë e sovranitetit
Sovraniteti strategjik matet me aftësinë e shtetit për të kontrolluar energjinë, gjegjësisht për të kontrolluar burimet e energjisë.
Kosova nën qeverisjen e Kurtit ka dështuar në këtë provë, përkatësisht, ta ndërtojë këtë kapacitet dhe ka legjitimuar status quo-në që e mban të varur nga importet serbe dhe ruse. Kjo ka rrezikuar jo vetëm ekonominë, por edhe stabilitetin gjeopolitik.
Refuzimi i projekteve amerikane dhe mbështetja e heshtur e planit evropian të gazifikimit e kanë kthyer vendin në një entitet të varur nga importet serbe dhe ruse, me pasoja të drejtpërdrejta për inflacion, dobësim i sovranitetit ekonomik dhe cenim të besueshmërisë ndërkombëtare.
Këto nuk janë vetëm pasojë e paaftësisë qeveritare, por produkt i një dizajni politik që e lidhin ardhjen e Kurtit në pushtet me interesat e një Evrope të varur nga Rusia.
Prandaj konsideroj se, refuzimi i projekteve amerikane nuk ishte çështje teknike, por akt strategjik me pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë kombëtare.
Kosova, në vend se të bëhej nyje e furnizimit rajonal në bashkëpunim me SHBA-në dhe Shqipërinë, u reduktua në përfitues të projekteve dytësore evropiane pa vlerë strategjike.
Kurti, vektor i politikave antiamerikane
Përfundimisht mund të konkludoj se, Albin Kurti nuk është thjesht një lider me retorikë antiamerikane por, ai u shndërrua edhe në vektor politik të një agjende të huaj që pengon integrimin euroatlantik të Kosovës.
Refuzimi i projekteve amerikane, pjesëmarrja e heshtur në planet evropiane të varësisë, dhe orientimi politik pro-BE-Rusi kanë bërë që Kosova sot të jetë më e cenueshme dhe më e varur.
Rikthimi te partneriteti amerikan dhe kontrolli mbi energjinë mbeten të vetmet rrugë për të rikthyer sovranitetin strategjik dhe stabilitetin energjetik të vendit. Kosova ka mundësinë të kapërcejë status quo-në vetëm nëse e vendos energjinë dhe zhvillimin në shërbim të interesit kombëtar, jo të kompromiseve ruso-evropiane.
Përfundimisht, mund të konkludoj se:
-Politikat e Kurtit e kanë futur vendin në një kurth që e dobëson sovranitetin dhe e largon nga partneriteti strategjik me SHBA-në.
-Kosova ndodhet në vijën e parë të përplasjes ndërmjet dy strategjive botërore, asaj amerikane të pavarësisë energjetike dhe asaj ruso-evropian të kontrollit dhe nënshtrim ekonomik.
-Albin Kurti, me refuzimin e projekteve amerikane dhe afërsinë e tij me burokracinë evropiane, është bërë simbol i këtij komploti që ka cenuar sigurinë kombëtare dhe ka dobësuar raportin me SHBA-në.
-Kosova mund të dalë nga ky kurth vetëm duke u rikthyer te partneriteti amerikan dhe duke e rivendosur energjinë si shtyllë të pavarësisë kombëtare, jo si instrument të kompromiseve ruso-evropiane.










