Mesfushori Granit Xhaka ka folur sërish për periudhën e tij te Arsenali, veçanërisht për incidentin e vitit 2019, kur u fishkëllye nga tifozët vendas dhe hodhi fanellën në tokë, duke qenë pranë largimit nga klubi.
Megjithatë, trajneri Mikel Arteta ia ndryshoi vendimin dhe u bë një nga personat më të rëndësishëm në karrierën e tij atje.
Në një intervistë të fundit, Xhaka konfirmoi se ai dhe babai i tij, Ragipi, kishin konsideruar largimin nga Arsenali.
“Valixhet ishin gati. Babai im, që gjithmonë ka qenë kritikues gjatë karrierës dhe thoshte: ‘Sapo të ikësh njëherë, do të ikësh gjithnjë’, por në këtë situatë më këshilloi: ‘Duhet të largohesh nga aty. Kur tifozët janë kundër teje është gjëja më e keqe në futboll. Nuk ke asnjë shans’”, tregoi Xhaka.
Por vendimi për të qëndruar erdhi falë trajnerit: “Pse qëndrove? Shkaku i trajnerit. E njihja Mikel Artetan vetëm nga emri, jo si person. Kur mori drejtimin në Krishtlindje, menjëherë kërkonte ta dëgjonte pjesën time të historisë. Pastaj i thashë: ‘Mikel me gjithë respektin për ty, nuk mund ta mbaj më këtë fanellë’.
“Ai erdhi ditën tjetër sërish dhe më tha: ‘Granit, më nevojitesh. Më jep gjashtë muaj që të të bind se je personi i duhur. Nuk mund të të bëj më kapiten, por do ta ndërtojë skuadrën përreth teje. Nëse dështojë, atëherë do të jem i pari që të ndihmoj të largohesh’.
“Kurrë nuk do ta harroj atë bisedë, ende më jep dridhje trupi kur e mendoj. Fjalët e tij ishin shumë të fuqishme. E shikova, e përqafova dhe thashë: ‘Në rregull, do të qëndroj’. Ishte vendimi i vetëm që e mora pa familjen”, shtoi mesfushori.
Kur u pyet për kalimin te Bayer Leverkuseni, Xhaka pranoi se vendimi kishte të bënte me kontratën afatgjatë që ia kishte ofruar klubi gjerman.
“Bayer Leverkuseni më ofroi kontratë të gjatë, doja të rikthehesha në Gjermani dhe u ndjeva se ishte koha perfekte për t’u larguar. Doja gjithashtu të bëja hapësirë për lojtarët e rinj te Arsenali. Me Declan Rice, klubi kishte gjetur pasuesin adekuat”, përfundoi Xhaka.










