Majkëll Shumaker triumfues edhe jashtë pistës, 7 herë kampioni i botës kryeson listën e pilotëve më të paguar në historinë e F1

Majkëll Shumaker, shtatë herë Kampioni i Botës në Formula 1, kryeson listën e pilotëve më të paguar. Sipas “Racing News 365”, pasuria neto e pilotit gjerman vlerësohet në 790 milionë dollarë (mbi 670 milionë euro me kurset aktuale të këmbimit). Gjatë karrierës së tij, Shumi arriti 91 fitore dhe shtatë tituj kampionë botërorë.

Shumakeri u dëmtua rëndë në një aksident me ski në Meribel të Francës dhe kaloi disa muaj në një koma të shkaktuar nga mjekët. Gjendja e tij aktuale shëndetësore mbetet rreptësisht konfidenciale. Në vendin e dytë është Luis Hamilton, gjithashtu një kampion bote shtatë herë në F1, pasuria neto e të cilit ka arritur në 304 milionë dollarë (mbi 258 milionë euro).

Fernando Alonso, piloti spanjoll që aktualisht garon në Formula 1 për Aston Martin, është piloti i tretë më i pasur në historinë e Formula 1, me një pasuri neto të vlerësuar prej 264 milionë dollarësh (mbi 224 milionë euro).