Procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare ka nisur sot në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, ku bashkatdhetarët kanë mundur të votojnë nga ora 07:00 deri në orën 19:00 sipas kohës lokale. Votimi u zhvillua në 40 vendvotime, që ndodhen në 16 ambasada dhe 13 konsullata të Kosovës në 18 shtete të ndryshme.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri pas mesditës, rreth 40% e shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar, kanë realizuar të drejtën e tyre të votës. Nga gjithsej 19,187 persona të regjistruar, numri i votuesve ka arritur rreth 7,000 deri në orën 13:00, ose 36.89% e të regjistruarve.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, gjatë një konference për media konfirmoi se deri tani nuk janë raportuar parregullsi në procesin e votimit. Po ashtu, autoritetet zgjedhore theksuan se bashkatdhetarët që kanë votuar në ambasada nuk do të mund të votojnë fizikisht në Kosovë nesër, pasi emrat e tyre janë tërhequr nga listat votuese për votimin në vend.
Gjithsej, numri i diasporës të regjistruar për të votuar, duke përfshirë edhe ata që votuan me postë, ka kaluar 77 mijë persona.










