Nesër, Kosova do të zhvillojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku rreth 2 milionë qytetarë me të drejtë vote pritet të zgjedhin përbërjen e re të Kuvendit.
Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime, përfshirë 910 qendra me 2.557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra me 57 vendvotime për votimin me kusht.
Në garë për një vend në Kuvend janë 1.146 kandidatë nga 23 parti politike. Policia e Kosovës ka përgatitur një plan operativ për sigurinë e zgjedhjeve dhe ka inkurajuar qytetarët të raportojnë çdo rast të dyshuar. Po ashtu, janë angazhuar rreth 100 prokurorë për mbikëqyrjen e procesit zgjedhor.
Institucioni i Avokatit të Popullit do të vëzhgojë zgjedhjet dhe votimin në institucione për persona të privuar nga liria, si dhe në shtëpitë për persona të moshuar.
KEDS ka përmbyllur planin operativ për furnizimin me energji elektrike, duke angazhuar 1.049 punëtorë, të organizuar në 140 ekipe. Çdo vendvotim do të ketë ekipe për intervenim të shpejtë, dhe një komision qendror teknik do të monitorojë procesin zgjedhor në kohë reale.










