Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, janë rikthyer pothuajse në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021, duke shënuar fitore bindëse në shumicën e komunave të Kosovës me mbi 425 mijë vota.
Në komunat kryesore si Mitrovicë, Ferizaj, Gjilan, Podujevë e Kamenicë, VV-ja ka fituar me mbi 60% të votave. Vetëvendosje ka dalë parti e parë në të gjitha komunat, përveç Skënderajt, Drenasit dhe Deçanit.
Në Deçan, AAK-ja ka dalë parti e parë me 48%, ndërsa VV-ja ka marrë mbi 30%. Në Drenas dhe Skënderaj, kryeson bindshëm Partia Demokratike e Kosovës.
Në Gjakovë, VV-ja ka mbi 53% të votave, me AAK-në të renditur të dytë me 22,97%. Në Gjilan, VV-ja ka shënuar fitore bindëse me 62% të votave apo mbi 29 mijë vota. Edhe në Istog, bastion i LDK-së, Vetëvendosje fitoi me mbi 44%.
Në Kaçanik, VV-ja fitoi mbi 60%, ndërsa në Klinë rezultati ishte më i ngushtë. Në Fushë Kosovë, partia e Kurtit fitoi mbi 54% të votave, ndërsa mbi 50% ka marrë edhe në Prishtinë, ku kishte humbur zgjedhjet lokale një muaj më parë.
Në Pejë, VV-ja iu afrua 48% të votave, po aq sa edhe në Lipjan, ku parti e dytë doli PDK-ja. Në Prizren, partia e Albin Kurtit fitoi mbi 51% të votave.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka cilësuar rezultatin si fitore të vetë shtetit të Kosovës dhe ka bërë thirrje për konstituim të shpejtë të institucioneve. Ai ka theksuar se prioritetet kryesore pas certifikimit të rezultateve janë zhbllokimi i proceseve të mëdha, përfshirë fondet nga Bashkimi Evropian dhe marrëveshjet me Bankën Botërore.
“Më lejoni të shpreh mirënjohjen time të thellë dhe falënderimin e jashtëzakonshëm gjithandej vendit tonë. Një falënderim për mijëra vullnetarë, simpatizantë e aktivistë që organizuan fushatën dhe ishin krahu ynë i fortë në këtë fitore madhështore. Me 9 shkurt sivjet fitoi LVV me partnerët, me 28 dhjetor 2025 fitoi populli i Kosovës dhe Republika. Urime fitorja më e madhe në historinë e vendit. Tash na presin shumë punë përpara dhe rezultati i sotëm na ka bërë të qartë që duhet të ecim përpara pa vonesa. Sa më parë që të certifikohen rezultatet, aq më shpejt duhet të krijojmë institucionet dhe të vazhdojmë me punë e projekte të nevojshme. Në Kuvendin e legjislaturës së 10-të na pret plani i rrjetes së BE në vlerë 880 milionë euro… Ftoj partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, ligjet e mira dhe interesin publik të qytetarëve. Edhe njëherë, urime të gjithë qytetarëve, mërgatës dhe secilit pa dallim. Fitoren historike që është në rrugë të mbarë të tejkalojë edhe 14 shkurtin e 2021. Sot ishte ditë e gjatë, përveçse e bukur dhe e rëndësishme”, tha Kurti.
Lidhur me çështjen e presidentit, Kurti pranoi se kërkon konsensus më të gjerë (80 vota) dhe se fillimisht planifikon të flasë me Vjosa Osmanin, pastaj me opozitën.
“Së pari të presim certifikimin nga KQZ. Më pas menjëherë e konstituojmë Kuvendin dhe themelojmë qeverinë. Jam i interesuar për bashkëpunim me opozitën për marrëveshjet ndërkombëtare, Plani i Rritjes dhe marrëveshjet me Bankën Botërore”, tha ai.










