Agim Ademi: 2025-a, një nga vitet më të suksesshme në historinë e futbollit të Kosovës

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka bërë një bilanc të gjerë të vitit 2025, duke e cilësuar atë si një nga kapitujt më të rëndësishëm dhe më të suksesshëm në historinë e futbollit kosovar.

Në një mesazh drejtuar komunitetit të futbollit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, Ademi theksoi se viti që po lëmë pas ka qenë i mbushur me punë intensive, vendime strategjike dhe arritje konkrete në të gjitha nivelet.

“Viti 2025 do të mbetet një nga kapitujt më të rëndësishëm në historinë e futbollit të Kosovës. Ishte një vit pune intensive, vendimesh strategjike dhe arritjesh konkrete që e konfirmuan qartë drejtimin e duhur në të cilin po ecën Federata e Futbollit e Kosovës dhe futbolli ynë në përgjithësi”, ka deklaruar Ademi.

Ai vuri në pah investimet e mëdha në infrastrukturë, digjitalizim, edukimin e kuadrove profesionale dhe projektet zhvillimore, duke theksuar se këto hapa kanë krijuar baza të qëndrueshme për të ardhmen e futbollit kosovar.

“Investimet në fusha futbolli, në kampet nacionale, në projektet shkollore dhe në sigurinë shëndetësore të lojtarëve kanë krijuar baza të forta për të ardhmen”, u shpreh kryetari i FFK-së.

Ademi nënvizoi gjithashtu forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës në futboll, përmes bashkëpunimit me FIFA-n dhe UEFA-n, si dhe organizimit të ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare në Prishtinë.

Sa i përket aspektit sportiv, ai e cilësoi vitin 2025 si historik për Kombëtaren e Kosovës.

“Ngjitja në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe sigurimi për herë të parë i ‘play-off’-it për Kupën e Botës 2026 janë dëshmi e punës së përbashkët, vizionit të qartë dhe besimit në potencialin e futbollistëve tanë”, theksoi Ademi.

Sukseset e klubeve kosovare në arenën ndërkombëtare, përfshirë FC Dritën në Ligën e Konferencës dhe FC Prishtina 01 në Ligën e Kampionëve në futsall, sipas tij, konfirmojnë rritjen e cilësisë së futbollit vendor.

Në fund, kryetari i FFK-së shprehu mirënjohje për të gjithë akterët e futbollit dhe dha mesazh shprese për vitin e ardhshëm.

“Viti 2026 na pret me sfida të reja dhe projekte ambicioze. Uroj që të jetë viti i realizimit të ëndrrës sonë të përbashkët dhe për herë të parë të jemi pjesë e Kupës së Botës”, përfundoi Ademi.