Ramush Haradinaj: Aleanca qëndron krah banorëve të Xërxës

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar sot një vizitë në fshatin Xërxë dhe zonën përreth, ku është takuar me banorë, duke diskutuar për sfidat dhe mundësitë e zhvillimit lokal.

Në deklaratën e tij pas takimit, Haradinaj u shpreh se Xërxa mbetet një prej vendeve që nuk harrohen, për shkak të energjisë dhe përkushtimit të banorëve të saj. Sipas tij, komuniteti i Xërxës nuk pret që ndryshimi të vijë vetë, por vepron për ta sjellë atë, sidomos kur ka mbështetjen e duhur.

Haradinaj tha se diskutimet me banorët nuk ishin të zakonshme, por të mbushura me ide dhe qasje konkrete për zhvillim. Ai vlerësoi gatishmërinë e tyre për të marrë iniciativa dhe për të qenë pjesë aktive e proceseve që ndikojnë në jetën e tyre.

“Kjo energji të jep ndjesinë se çdo gjë është e mundur,” deklaroi Haradinaj, duke shtuar se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë pranë komuniteteve që tregojnë vullnet dhe angazhim.

Vizita në Xërxë vjen si pjesë e takimeve të vazhdueshme të AAK-së me qytetarët në prag të zgjedhjeve.