Ulutash thekson angazhimin e palëkundur të KFOR-it për sigurinë e Kosovës

Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajor Ozkan Ulutash, e ka pritur në takim kryeministrin në detyrë Albin Kurti, i cili shoqërohej nga ministri në detyrë i Mbrojtjes Ejup Maqedonci dhe ministri në detyrë i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Në njoftimin e KFOR-it, thuhet se u shkëmbyen pikëpamje mbi forcimin e bashkëpunimit midis KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës.

“Gjenerali Ulutaş theksoi angazhimin e palëkundur të KFOR-it për të vazhduar të kontribuojë në sigurinë në të gjithë Kosovën dhe rajonin e gjerë”, thuhet në deklaratën e Misionit ushtarak të NATO-s në Kosovë.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.