Një person, shtetas i Sirisë, është gjetur i shtrirë dhe me plagë nëpër pjesë të ndryshme të trupit në oborrin e shtëpisë së dy grave në Koshuticë të Leposaviqit.
Plagët e shtetasit sirian të moshës 40 vjeçare, dyshohet të jenë shkaktuar me thikë, ndërsa ai është dërguar në Spitalin e Mitrovicës së Jugut për trajtim të mëtutjeshëm.
“Fsh. Koshuticë, Leposaviq 10.12.2025, 00:50. Dy dëshmitare femra kosovare, kanë raportuar se në oborrin e shtëpisë së tyre kanë vërejtur një person të shtrirë me plagë nëpër pjesë të ndryshme të trupit të shkaktuara nga mjeti i mprehtë. Viktima mashkull i moshës rreth 40 vjeçar, shtetas i Sirisë është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Mitrovicës Veri dhe më pas është transferuar në Spitalin e Mitrovicës Jugu për trajtim të mëtutjeshëm”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Rreth orës 11:05, nga Pika Kufitare në Jarinje, Policia janë njoftuar se në fshatin Koshuticë, kanë vërejtur një person gjithashtu shtetas sirian, i moshës 27 vjeçare që ka pasur lëndime në kokë dhe këmbë.
Këto lëndimet dyshohet të jenë shkaktuar nga thika, ndërsa viktima ka njoftuar se rasti ka ndodhur një ditë më parë në mbrëmje dhe i dyshuari është larguar në drejtim të kufirit me Serbinë.
Viktima po trajtohet në Spitalin e Mitrovicës së Jugut për tretman të mëtutjeshëm.
“Me raport shtesë rreth orës 11:05 jemi njoftuar se njësiti nga SPMK Jarinje gjatë patrullimit në fsh. Koshuticë ka vërejtur një person mashkull Sirian i moshës 27 vjeçar me lëndime në kokë dhe këmbë që dyshohet se plagët janë shkaktuar nga mjeti i mprehtë. Viktima ka njoftuar se rasti ka ndodhur mbrëmë dhe i dyshuari është larguar në drejtim të kufirit të Serbisë. Njësiti i emergjencës viktimën e kanë dërguar në Spitalin e Mitrovicës Jugu për tretman të mëtutjeshëm”, thuhet në raportin 24 orësh.
Lajmi.net ka dërguar pyetje tek Prokuroria Themelore në Mitrovicë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Siç kanë thënë bnga Spitali Rajonal në Mitrovicë, 40 vjeçari sirian po trajtohet aty dhe se i njëjti është jashtë rrezikut për jetë, ndërkaq 27 vjeçari është dërguar për trajtim në QKUK.










