Sot në Shkup mbahet protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, pritet pjesëmarrja e rreth 20 mijë qytetarëve

Protesta e radhës kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të mbahet sot në Shkup, në ora 13:00.

Edhe kjo protestë ka mobilizuar shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe trevave të tjera shqiptare.

Një ditë para protestës, shumë politikanë kanë bërë thirrje që shqiptarët të marrin pjesë, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së dinjitetit dhe të së vërtetës historike.

Një thirrje të tillë ka bërë edhe lideri i shqiptarëve të Maqedonisë, Albi Ahmeti.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai shkroi se nesër Shkupi do t’i bashkojë të gjithë shqiptarët.

“Nesër, më 13 dhjetor, në orën 13:00, në Sheshin ‘Skënderbeu’ në Shkup, bashkohemi për një qëllim të qartë: kërkesën për drejtësi dhe hedhjen poshtë të akuzave të fabrikuara të Serbisë dhe Rusisë”, tha Ahmeti.

Ai vlerësoi se emri i UÇK-së do të mbetet gjithmonë pjesë e identitetit dhe dinjitetit kombëtar.

“Ne dalim me përgjegjësi, për të nderuar sakrificën dhe për të mbrojtur të vërtetën e historisë sonë. Liria ka emër, UÇK. Dhe ky emër mbetet pjesë e identitetit dhe dinjitetit tonë kombëtar. Ju ftoj të gjithëve që nesër të jemi bashkë”, shtoi ai.

Mbështetje kësaj proteste i dha edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili shkroi: “Gjithmonë në përkrahje të luftës së drejtë çlirimtare!”

Ndërsa ish-kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, bëri thirrje për pjesëmarrje të gjerë qytetare në protestën gjithëkombëtare që do të mbahet më 13 dhjetor, në ora 13:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, në mbrojtje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Në një postim në Facebook, Krasniqi theksoi se pas Prishtinës dhe Tiranës, Shkupi do të jetë qendra e radhës ku shqiptarët do të ngrejnë zërin për drejtësi.

“Pas Prishtinës dhe Tiranës, këtë të shtunë, jehona për drejtësi e shqiptarëve do të ngrihet fuqishëm edhe në Shkup. Më 13 dhjetor, në ora 13:00, në Sheshin ‘Skënderbeu’, bashkohen zërat nga të gjitha trojet për të mbrojtur dinjitetin, të vërtetën dhe luftën e drejt të UÇK-së”, shkroi ai.

Krasniqi e cilësoi protestën si një kauzë të përbashkët të shqiptarëve kudo që jetojnë: “Një protestë gjithëkombëtare, një kauzë e përbashkët. Drejtësi dhe liri për çlirimtarët!”

Ndërsa kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, foli për protestën e nesërme kundër Gjykatës Speciale dhe bëri me dije se janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë tubim.

Gucati tha se në protestë pritet të marrin pjesë rreth 20 mijë qytetarë.

“Interesimi është shumë i madh nga qytetarët e Kosovës, sidomos nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Ne presim numër të madh protestuesish, rreth 20.000 nga të dy shtetet, megjithëse interesi më i madh vjen nga Kosova”, theksoi ai.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ditë më parë ka deklaruar se nuk e mbështet këtë protestë, por ka siguruar se institucionet do të kujdesen që gjithçka të zhvillohet sa më mirë dhe pa incidente.

Para kësaj proteste, OVL-UÇK ka mbajtur protesta edhe në Hagë, Tiranë, Strasbourg dhe Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Gjykatën Speciale për krime që pretendohet se janë kryer gjatë luftës në Kosovë.