Një ngjarje e rëndë është raportuar pasditen e djeshme në Prishtinë, ku një grua e re është gjetur pa shenja jete në banesën e saj, në rrugën “Ismet Jashari”.
Sipas informatave të para, rreth orës 15:00 Policia ka pranuar njoftim për një person të dyshuar të vdekur. Njësitë policore kanë dalë në vendngjarje, ku kanë hasur G. Sh, rreth 29-vjeçare të shtrirë në tokë. Në lokacion ka intervenuar edhe ekipi i emergjencës, i cili ka konstatuar vdekjen e saj.
Burimet bëjnë të ditur se viktima dyshohet se kishte qenë me grip disa ditë më parë dhe kishte marrë tretman mjekësor në shtëpi. Në vendngjarje është intervistuar edhe një familjare e saj, e cila ka dhënë deklaratë lidhur me gjendjen shëndetësore të së ndjerës ditët e fundit.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, të cilët kanë tërhequr trupin e pajetë për ekzaminim të mëtejmë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e plota që çuan në këtë rast tragjik.










