Agim Ademi takohet me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, në Doha

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, është takuar me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, në Doha, në prag të finales së Kupës Interkontinentale mes Paris Saint-Germain dhe Flamengo.

Sipas Ademit, takimi ishte një bisedë e frytshme e fokusuar në zhvillimin e futbollit në Kosovë dhe në projektet që Federata e Futbollit e Kosovës ka në plan për të ardhmen. Ai theksoi se shkëmbimi i ideve dhe vizioneve me drejtuesit më të lartë të futbollit botëror mbetet motivues dhe i rëndësishëm për avancimin e futbollit kosovar.

“Është gjithmonë e vlefshme të ndash vizionin për futbollin me drejtuesit e futbollit ndërkombëtar. Do të vazhdojmë thellimin e bashkëpunimit për të rritur standardet dhe për të krijuar më shumë mundësi për talentet tona”, ka theksuar Ademi.

Presidenti i FFK-së nënvizoi se futbolli i Kosovës po ecën përpara falë mbështetjes së vazhdueshme të UEFA-s dhe FIFA-s, duke shtuar se këto partneritete janë kyçe për përmirësimin e infrastrukturës, zhvillimin e garave dhe avancimin e futbollit të të rinjve.

Takimi në Doha vjen në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme të FFK-së në arenën ndërkombëtare, me synimin për të forcuar pozitën e futbollit kosovar dhe për ta afruar atë gjithnjë e më shumë me standardet evropiane dhe botërore.