Kandidati i AAK-së për kryeministër thekson se ligji rikonfirmon mbështetjen e SHBA-së për sovranitetin, integritetin territorial dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se hyrja në fuqi e Ligjit amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare përbën “lajmin më të mirë të ditës” për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.
Sipas Haradinajt, ligji rikonfirmon qartë politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj rajonit, duke refuzuar çdo ide për ndarje, shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike. Dokumenti mbështet gjithashtu perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe integrimin euroatlantik të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Haradinaj thekson se ligji përcakton zbatimin e Marrëveshjes për Normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi, me qëllim final njohjen reciproke, dhe riafirmon mbështetjen amerikane për demokracinë në rajon.
Ai shtoi se çdo zyrtar i lartë që cenon integritetin territorial të shteteve të Ballkanit, shkel rendin demokratik, të drejtat e njeriut apo përfshihet në korrupsion, do të sanksionohet sipas këtij ligji.
“Kjo është një rikonfirmim i partneritetit të fortë mes Kosovës dhe SHBA-së, i cili ka qenë jetik për të gjitha fazat e zhvillimit të vendit tonë, përfshirë synimin për anëtarësim në NATO dhe BE”, tha Haradinaj.
Ai përfundoi duke shprehur mirënjohjen e përjetshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e tyre strategjike ndaj Kosovës.










