A ndryshuan qëndrimet e LVV-së së voni? Nëse po, pse?

Nga bojkotimi i mediave të Kosovës e sulmet ndaj gazetarëve, në prani më të madhe në to. Nga përdorimi i termave “hajvanë” e “hajvanat”, me premtimin për një gjuhë më të matur dhe bashkëpunuese me partitë e tjera të mëdha shqiptare, shkruan REL.

Këto janë vetëm disa ndryshime në qëndrime që u vunë re gjatë paraqitjeve të fundit në media të eksponentëve kryesorë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), përfshirë edhe kreun, Albin Kurtin.

Periudha kur janë bërë këto deklarata në studiot televizive është me rëndësi: kanë mbetur edhe pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Njohësit e zhvillimeve politike, në parim, nuk e shohin ndryshimin si diçka të keqe, por në rastin konkret besojnë se moderimi i diskursit është strategji e LVV-së për ta përmirësuar imazhin dhe është pjesë e kalkulimeve politike.

Roli i “palës së mirë”

Për Donika Eminin, hulumtuese në Grupin Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit (BiEPAG), ndryshimi i fjalorit nuk është i rastësishëm.

Sipas saj, intervistat e fundit të Kurtit, Glauk Konjufcës dhe Albulena Haxhiut në mediat lokale të Kosovës, “duken qartazi të orkestruara për të përgatitur terrenin” pas zgjedhjeve.

“Së pari, kjo është një përpjekje për ta vënë opozitën në diskomfort, duke luajtur rolin e ‘palës së mirë’, pas një viti të tërë të përdorimit të gjuhës toksike”.

“Së dyti, ky ndryshim lidhet drejtpërdrejt me nevojën për koalicione. LVV-ja është e vetëdijshme se nuk mund të qeverisë më e vetme si në vitin 2021. Prandaj, një gjuhë më e butë dhe një paraqitje si parti ‘e pjekur’ politike shërben për të hapur rrugën për bashkëpunime paszgjedhore”, vlerëson Emini.

Edhe sociologu Artan Muhaxhiri është në të njëjtën linjë: ndryshimi i qasjes është pjesë e strategjisë.

“Por, nuk besoj që partitë e tjera politike PDK, LDK, AAK, i besojnë këtij ndryshimi të befasishëm dhe shumë të shpejtë të stilit politik të LVV-së, pasi kanë pasur përvoja në të kaluarën se ky ndryshim është i përkohshëm dhe jo i përhershëm”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Muhaxhiri mendon se caku i LVV-së tani janë votuesit e pavendosur dhe ata që kanë dilema nëse do ta votojnë ose jo këtë parti, që në zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti mori 42 për qind të votave – shifër e pamjaftueshme për të qeverisur vetë.

Ai vlerëson se partia e Kurtit, që është në pushtet që nga zgjedhjet e vitit 2021, “nuk ka ndonjë argument të fuqishëm nga qeverisja e deritashme”, prandaj, “aseti kryesor i LVV-së në këto zgjedhje do të jetë ky ndryshimi retorik në mënyrë që, disi, edhe kësaj radhe të arrijë rezultat pozitiv, pasi përveç fjalëve, veprat i mungojnë”.

“Koordinim me Listën Serbe”, “njeri i Serbisë”…

Viti 2025 do të mbahet mend për polarizimet e skajshme mes partive politike shqiptare, qoftë në fushatën për zgjedhjet e shkurtit, më pas për pamundësinë e formimit të institucioneve, apo edhe gjatë garës në dy rundet e zgjedhjeve lokale.

Gjithçka duket se nisi pasi Kurti e kuptoi rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, doli para mbështetësve të tij dhe iu referua partive që ishin në opozitë në legjislaturën e kaluar si “hajvanë” dhe “hajvanat”.

Në një intervistë të dhënë së voni në televizionin lokal të Kosovës, Kanal10, kryeministri në detyrë Kurti, tha nuk e mendoi të gjithë opozitën kur e përdori shprehjen “hajvanë” por vetëm një parti që, sipas tij, bëri premtime “iracionale dhe lajthitëse”.

“Por, ndoshta është dashur të gjej ndonjë fjalë tjetër”, theksoi ai, duke mos treguar se kujt saktësisht i është referuar.

Numri dy në LVV, Glauk Konjufca, tha disa ditë më vonë në televizionin tjetër lokal, T7 se Kurti ka “reflektuar” dhe e ka pranuar se ka bërë gabim në këtë rast.

Sipas Eminit, fyerjet si “hajvanë” i kanë shërbyer LVV-së për t’i dobësuar kundërshtarët politikë dhe “për ta mobilizuar një elektorat të ushqyer me narrativ konfrontues”.

“Edhe pse kohët e fundit ka pasur një pranim të tërthortë se janë bërë gabime në raport me opozitën dhe mediat, kjo nuk e ndryshon faktin që kjo sjellje ka vazhduar praktikisht deri dy javë para zgjedhjeve”.

Për shkak të thellimit të ndasive, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk pranoi të bashkëpunonte me partinë e Kurtit për një koalicion të mundshëm qeveritar, pavarësisht dy ftesave të LVV-së.

Edhe partitë tjera shqiptare ishin kategorike kundër negociatave eventuale me Kurtin.

Ani pse Kurti dhe Konjufca e kanë mohuar se gjuha e ashpër ka ndikuar në acarim raportesh, sa herë është përmendur Lista Serbe gjatë vitit, tensionet janë rritur.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e afërt me Beogradin zyrtar, me të cilën LVV-ja nuk pranon assesi bashkëpunim, por me raste pretendonte se partitë tjera shqiptare koordinoheshin me të.

“Nëse më pyesni nëse PDK-ja është me Listën Serbe, jo nuk mendoj se është ashtu. A është LDK-ja me Listën Serbe? Jo, nuk mendoj”, tha Konjufca në intervistën e dhjetorit, duke shtuar se as LVV-ja dhe as këto parti shqiptare nuk mendojnë për njëra-tjetrën se janë me Serbinë.

Përgjatë vitit, akuza pati edhe nga këndi tjetër. Disa parti shqiptare nuk hezituan ta akuzojnë Kurtin se është “njeri i Serbisë dhe Rusisë”, pa ndonjë dëshmi.

Ndryshimi i radhës: Qasja ndaj SHBA-së

Kundërshtarët politikë jo rrallëherë e kanë përshkruar Kurtin si “antiamerikan” dhe e kanë akuzuar për prishje të raporteve me aleaten kryesore të Kosovës, Shtetet e Bashkuara.

Kurti është kritikuar edhe nga vetë SHBA-ja për veprimet në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, që janë cilësuar si të pakoordinuara.

Më herët gjatë vitit, raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës pësuan një goditje tjetër me pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik.

Uashingtoni tha e mori këtë vendim duke u thirrur në shqetësime lidhur me veprimet e Qeverisë.

Kurti fillimisht e pati pranuar se me administratën amerikane kishte dallime, por shtoi se “nuk jemi prishur me Amerikën”.

Në intervistën e dhjetorit Kurti deklaroi se raportet me Uashingtonin ishin shumë të mira dhe që mospajtimet kryesore gjithmonë kanë qenë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj, dhe asnjëherë për çështje bilaterale.

“Kurrë nuk kanë qenë, sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë, marrëdhëniet më të mira sesa tani me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E kemi kulmin. Si shtet i pavarur e kemi kulmin sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë”, u shpreh ai për Kanal10.

E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.

Ky qëndrim i Kurtit, për Muhaxhirin është “në shpërputhje me realitetin”, pasi sipas tij, raportet mes dy shteteve “kurrë nuk kanë qenë më të dëmtuara”.

Sipas tij, aspekti i sigurisë është një nivel tjetër nga ai politik dhe shpesh funksionon në mënyrë autonome.

Hulumtuesja në BiEPAG, Donika Emini, vlerëson se në vitet e fundit, Kurti e ka përdorur antagonizmin ndaj SHBA-së dhe Bashkimit Evropian për “përfitime elektorale dhe politike”.

“Tani, ndryshimi i narrativit për t’iu referuar Serbisë si shkak për mospajtimet tregon një përpjekje për të butësuar tonin ndaj aleatëve ndërkombëtarë dhe për të krijuar hapësirë për një qasje më konstruktive ndaj administratës së re amerikane”, vlerëson ajo.

Një zëdhënës i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara i tha Radios Evropa e Lirë më 17 dhjetor se SHBA-ja synon të punojë ngushtë me ekzekutivin e ri që do të zgjidhet pas 28 dhjetorit, “për t’i avancuar prioritetet e përbashkëta”.

Shtetet e Bashkuara i kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998.

Udhëheqës shtetërorë kosovarë e kanë përsëritur ndër vite që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike.

Sa do të zgjasë “ndryshimi” i LVV-së?

Donika Emini është skeptike, sidomos kur bëhet fjalë për qasjen ndaj mediave. Në sytë e saj, ndryshimi është imponuar nga rrethanat dhe nuk ka të bëjë me mënyrën se si LVV-ja e kupton dhe respekton rolin e medias në demokraci.

“Historikisht, LVV-ja dhe Kurti kanë ndërtuar kapital politik mbi polarizimin dhe konfliktin. Prandaj, edhe pse është pozitive që po tentojnë të bëjnë paqe me mediat në këtë fazë, dyshoj fort se ky ndryshim është i qëndrueshëm dhe se do të reflektohet në një raport më të shëndetshëm me median kritike nëse ata qeverisin sërish”.

Pavarësisht zhvillimeve në të ardhmen, dëmi është bërë. Gjuha e përdorur nga LVV-ja në drejtim të mediave është dënuar disa herë nga Bashkimi Evropian dhe organizatat ndërkombëtare të mediave.

Liria e shtypit në Kosovë e ka pësuar më 2025 rënien më të madhe në 15 vjet, sipas Indeksit të Reporterëve pa Kufij.

Për Muhaxhirin, gjithçka varet nga rezultatet zgjedhore.

“Nëse LVV-ja arrin rezultat shumë të mirë në zgjedhje, atëherë me siguri do t’i kthehet gjuhës së ashpër polarizuese. Në të kundërtën, nuk do të ketë shumë mundësi”.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, të drejtë vote do të kenë mbi 2 milionë shtetas të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Në këtë proces zgjedhor do të marrin pjesë 24 subjekte politike, me 1.180 kandidatë.