Bogujevci për Dosja.info: Qeverisja e Vetëvendosjes ka transformuar Podujevën, Llapi dhe Gollaku marrin frymë ndryshe

Saranda Bogujevci, në një intervistë të shkurtër për Dosja.info, ka vlerësuar se qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje, si në nivel lokal me kryetarin Shpëtim Bulliqi, ashtu edhe në nivel qendror me kryeministrin Albin Kurti, ka sjellë një transformim të dukshëm në Podujevë dhe rajonin e Llapit e Gollakut.

Sipas saj, ky ndryshim reflektohet qartë edhe në përkrahjen e qytetarëve, duke përmendur fitoren pa balotazh në zgjedhjet lokale si një nga më të mëdhatë në këtë anë. “Llapi dhe Gollaku sot marrin frymë ndryshe. Kjo shihet në mbështetjen qytetare dhe energjinë pozitive që po e ndjejmë”, tha Bogujevci.

Ajo foli edhe për rolin e mërgatës, duke e cilësuar të padrejtë kundërfushatën dhe sulmet që, sipas saj, u janë bërë mërgimtarëve. “Është e padrejtë të mohohet e drejta e votës për mërgatën. Ata kanë kontribuar për dekada dhe vazhdojnë të jenë ndër investitorët më të mëdhenj të vendit. Pse duhet t’u mohohet kjo e drejtë?”, u shpreh Bogujevci.

Duke folur për projektet në Podujevë, Bogujevci theksoi se aktualisht janë në proces qendra multifunksionale, pishina olimpike, si dhe ka nisur ndërtimi i terenit të ri të tenisit. Ajo përmendi si projekte madhore edhe Digën e Pollatës dhe impiantin e ujërave të zeza, të cilat i cilësoi prioritare për zgjidhjen e çështjes së ujit të pijshëm dhe trajtimit të ujërave të zeza — probleme që, sipas saj, ende po diskutohen padrejtësisht në shumë vende.

Bogujevci shtoi se këto projekte janë në interes jo vetëm të Podujevës, por të gjithë Kosovës dhe përbëjnë prioritet edhe për Qeverinë e Kosovës. Ajo përmendi gjithashtu iniciativat sociale, si qendrat ditore për të moshuarit, banimin social dhe banesat për çiftet e reja, duke theksuar se Llapi dhe Gollaku do të vazhdojnë të kenë transformime të mëdha.

“Jam shumë optimiste për të ardhmen tonë. I inkurajoj qytetarët të dalin dhe të votojnë, që zëri i tyre të dëgjohet,” tha Bogujevci, duke kujtuar se 28 dhjetori është dita e zgjedhjeve në Kosovë.

Ajo u shpreh e bindur se rezultatet do të jenë edhe më të mira se ato të zgjedhjeve të shkurtit, duke theksuar atmosferën pozitive, energjinë e madhe dhe mobilizimin e qytetarëve, të cilat, sipas saj, do të reflektohen qartë në ditën e zgjedhjeve.