Menjëherë pas paraqitjes së kërkesës së Besim Kelmendit për lirim nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka thirrë takim të jashtëzakonshëm, ku është caktuar edhe agjenda e takimit.
Në ftesën për takimin e 282-të, e cila është dërguar në emër të kryesuesit Ardian Hajdaraj, bëhet e ditur se takimi mbahet sot (e hënë) nga ora 14:00.
Takimi i KPK-së mbahet objektin e Këshillit në katin VI.
Besim Kelmendi ka paraqitur kërkesë përmes së cilës ka kërkuar që të lirohet nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Kjo kërkesë e Kelmendit vjen pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, me të cilin është anuluar vendimi i Këshillit Prokurorial, me të cilin ishe shkarkuar nga kjo pozitë. Ndërsa, me aktvendimin e Gjykatës së Apelit është konfirmuar vendimi i Themelores, e cila ka theksuar se çështja është e gjykuar.
“Siç jeni në dijeni më Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës A.A.nr.124/2025 të datës 16.12.2025 është anuluar Vendimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës KPK.nr.1056/20 i datës 20.11.2025, ndërsa më Aktvendimin e Gjykatës së Apelit A.nr.1210/25 i datës 19.12.2025, është konfirmuar së cështja e ngritur sipas padisë në Gjykatën Themelore të Prishtinës është cështje e gjykuar sipas Aktgjykimit të më sipërm të Gjykatës Supreme. Bazuar në vendimet e sipërcekura gjyqësore dhe në situatën e krijuar në Këshillin Prokurorial pas nxjerrjes së vendimit të anuluar nga Gjykata Supreme, përmes këtij emailit zyrtar ua përcjellë Kërkesën time për të më liruar nga Pozita e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokuroit të Shtetit, të cilën detyrë e kam ushtruar nga data 22 prill 2022”, thuhet në kërkesën e publikuar nga Betimi për Drejtësi.










