Të gjitha qendrat e votimit për zgjedhjet e sotme të parakohshme janë hapur me kohë, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Ai tha se në orët e hershme të mëngjesit janë shpërndarë me kohë të gjitha materialet zgjedhore, përfshirë edhe fletëvotimet.
“Në orët e hershme të mëngjesit, materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, është shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat e votimit. Gjithashtu njoftojmë se, duke u mbështetur në informacionet e pranuara nga KQZ, procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në Republikën e Kosovës”, tha ai.
Elezi shtoi se procesi i votimit po zhvillohet në 948 qendra të votimit, ndërkaq numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 999 mijë e 205 votues.
“Sot procesi i votimit do të zhvillohet në 948 qendra të votimit me gjithsej 2614 vendvotime, prej të cilave 910 janë qendra me 2557 vendvotime që do të mundësojnë votimin e rregullt dhe 38 qendra të tjera, nga 1 për secilën komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht”, shtoi Elezi.
Krahas këtyre, Elezi shtoi se ditëve të fundit ka pasur kontakte me KEDS-in në lidhje me furnizimin me energji elektrike gjatë ditës së sotme.










