Dimri i vetmisës së madhe që po e rrethon Kosovën

Shkruan: Demush Shabani

Kosova po hyn në një dimër të vetmisës së madhe, ku institucionet duken të zbrazura, pushteti i ligjit i paralizuar dhe qytetarët të lënë vetëm përballë një përditshmërie të rënduar. Vitet e fundit me zgjedhje të shpeshta, me vendime të paqëndrueshme ligjore dhe me një qeverisje që ka dështuar të ndërtojë stabilitet minimal shtetëror, e kanë futur Republikën në pikën më të rrezikshme të brishtësisë së saj demokratike.

Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, vendi mbeti nëntë muaj pa qeveri funksionale, në një vakuum politik dhe institucional që paralizoi proceset. Në mungesë të stabilitetit dhe përgjegjësisë, Kosova u shty sërish drejt zgjedhjeve të reja më 28 dhjetor — një tjetër provë serioze për qëndrueshmërinë e Republikës. Sot, Kosova gjendet në një gjendje të përgjithshme katrahure. Vendimet e gjykatave nuk respektohen, rregullatorët veprojnë jashtë mandatit, ndërsa institucionet kryesore të shtetit janë të bllokuara. Shembulli më i rëndë është moszbatimi i vendimit të Gjykatës Supreme, e cila rrëzoi vendimin e ZRRE-së për çmimin e energjisë elektrike.

Megjithatë, ky vendim vazhdon të shpërfillet, duke i detyruar qytetarët dhe bizneset të paguajnë fatura të rritura në mënyrë të paligjshme. Ky është një sinjal dramatik se rendi juridik po gërryhet dhe se askush nuk po e ndalon rrëshqitjen e shtetit drejt kaosit. Në këtë terren të paqëndrueshëm, qytetarët përballen çdo ditë me mungesë shërbimesh, vonesa administrative dhe mosfunksionim institucionesh. Ndërkohë, sektori privat — baza e financave të vendit, që mbulon mbi 75% të të hyrave buxhetore — po lëngon. Bizneset, të lodhura nga paqëndrueshmëria, po i përballojnë rritjet e kostove të prodhimit dhe barrës fiskale, si dhe rritjen e çmimit të energjisë me mbi 100% në kundërshtim të hapur me ligjin.

Asnjë vend me standarde minimale demokratike nuk e ngarkon kështu sektorin që e mban mbi supe ekonominë e tij. Kosova nuk mund të kthehet në një kooperativë të improvizuar, siç duket se e duan nostalgjikët e sistemeve të vjetra, të cilët vazhdojnë ta ushqejnë idenë e një shteti të centralizuar e të kontrolluar.

Ky vend është Republikë demokratike, me ekonomi të tregut, me institucione që duhet të funksionojnë sipas ligjit dhe me media të lira. Ndërkohë, raportet ndërkombëtare tregojnë rënie serioze në indeksin e lirisë së mediave — një dritë e kuqe që nuk mund të injorohet. Një vend ku media frikësohet, është një vend që e humb busullën. Në këtë panoramë të zymtë, Kosova mbahet gjallë vetëm falë mërgatës sonë — oksigjeni i fundit ekonomik i Republikës. Remitancat dhe investimet e bashkatdhetarëve kanë qenë arsyeja pse vendi nuk ka rënë në kolaps të plotë. Pa ta, Kosova do të ishte sot në prag të shuarjes ekonomike e institucionale. Prandaj, dimri i vetmisës së madhe që po e rrethon Kosovën është paralajmërim. Ai është fotografia më e sinqertë e krizës së shtetit. Por ky dimër nuk duhet të bëhet stina e përhershme e Republikës. Më 28 dhjetor, Kosova ka mundësinë të zgjedhë kthimin te ligji, funksionimi institucional, stabiliteti ekonomik dhe dinjiteti shtetëror.

Vendi ka nevojë për një qeveri që i njeh damarët e Kosovës, që e njeh sakrificën mbi të cilën është ndërtuar ky shtet dhe që është e gatshme ta nxjerrë vendin nga kjo humnerë. Kosova meriton dritë. Ky dimër i vetmisës së madhe duhet të jetë i fundit. Autori është magjistër i shkencave politike. Ka punuar si këshilltar politik në kabinetin e ish-ministrit të drejtësisë Abelard Tahiri dhe është ndërmarrës në qytetin e Gjilanit