Ish-diplomati austriak, Wolfgang Petritsch, thotë se epoka e aleancës klasike mes Evropës dhe SHBA-së – ajo që u ndërtua pas vitit 1945 – ka marrë fund.
Në Ballkan, thotë ai, roli i SHBA-së po tkurret si në aspektin strategjik, ashtu edhe në atë politik. Rajoni shihet gjithnjë e më shumë si përgjegjësi evropiane dhe shtetet e Ballkanit, veçanërisht Kosova, e cila nuk është as anëtare e OKB-së dhe as e NATO-s, duhet të përshtaten me këtë realitet.
“Ne tani jetojmë në një epokë pasigurie – pasigurie të plotë – e cila për shtetet më të vogla dhe më të brishta si Kosova, paraqet sfidë edhe më të madhe sesa për ato që tashmë janë në Bashkimin Evropian dhe që mund të përpiqen të veprojnë bashkë brenda BE-së”, thotë Petritsch për Exposenë e Radios Evropa e Lirë.
Ai nuk pret shpërthim të një konflikti të ri të madh në Ballkanin Perëndimor vetëm se SHBA-ja mund të ulë nivelin e angazhimit të saj. Ai thekson se Evropa ka interes jetik të mos lejojë një luftë tjetër në pragun e saj, përtej asaj që tashmë po zhvillohet në Ukrainë.
Kampi amerikan Bondsteel në Kosovë mbetet një element kyç i sigurisë, por pesha e tij në të ardhmen, thotë Petritsch, do të varet ndjeshëm nga marrëdhëniet SHBA-Rusi.
Petritsch thotë se Kosova gjithmonë do të ketë nevojë për marrëdhënie profesionale dhe të qëndrueshme me Uashingtonin, por ajo duhet t’i përshtasë pritjet dhe të shmangë supozimin se SHBA-ja do t’i “rregullojë” problemet rajonale si në fund të viteve 1990.
Sipas tij, siguria dhe progresi i Kosovës do të varen shumë më tepër nga integrimi evropian, stabiliteti politik i brendshëm dhe arritja e kompromisit të vërtetë me pakicat.
“Kompromisi është thelbi i demokracisë. Mendoj se ideja për të gjetur një kompromis pozitiv, nuk është ende e fortë në Kosovë. Por, tani kohët po ndryshojnë. Evropa është partneri më i rëndësishëm dhe më relevant për ndërtimin e shtetit dhe për zhvillimin ekonomik dhe politik. Ajo duhet të bëhet tani një fokus i ri dhe serioz për Prishtinën”, thotë Petritsch.










