Akademia përkujtimore për “Kapuçin”, Ali Ahmeti: Pashtriku u skuq nga gjaku i të rinjve tanë

Me rastin e 27-vjetorit të rënies së 41 dëshmorëve të kombit, bashkë me komandantin e Brigadës 113, Mujë Krasniqi, u mbajt një akademi përkujtimore ku u nderua sakrifica, heroizmi dhe vepra e dëshmorëve që ranë për lirinë dhe bashkimin kombëtar.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, theksoi se sakrifica e tyre, edhe pse humbje e madhe, u bë burim mobilizimi dhe forcë për fitore.

Ahmeti shtoi se lufta u fitua, por sfidat për kombin nuk kanë përfunduar, duke kujtuar veprimet anti-shqiptare dhe propagandën që vazhdojnë të rrezikojnë identitetin shqiptar.

“Në 1821 në Manastir, pas shpine, me tradhti, ekzekutohen 500 kabidanë, një dhimbje dhe humbje e madhe asokohe me pasoja. Një ngjarje e tillë përsëritet tanimë në luftën e UÇK-së në malin e Pashtrikut, kur bora skuqet nga gjaku i kabidanëve të lirisë. Nëse 1821 u skuq kalldrëmi, 1998 u skuq Pashtriku nga gjaku i të rinjve luftëtarëve, i komandantit të Brigadës 113. Ngjarje të cilat ngritën një këmbë të tërë, si ajo e familjes Jashari, Adem Jashari me të gjithë të afërmit që kishte”.

“Po ashtu, ngjarja që ngriti në këmbë tërë ushtrinë çlirimtare ishte kjo ngjarje që ndodhi në Pashtrik, në pritë dhe pabesi, një humbje e madhe e UÇK-së, por ama një porosi, një kushtrim i kombit që të gjithë të jemi të mobilizuar që kjo dhimbje të na shënohet në forcë dhe fitore. Ashtu ndodhi. Lufta u fitua, por kemi edhe shumë punë për të bërë, sepse qarqet anti-shqiptare, që historikisht kanë vepruar kundër kombit dhe gjakut shqiptar, janë akoma aktive. Kjo po shihet në të gjithë proceset brenda 20 viteve që kanë ndodhur, procese që për bazë kanë propagandën dhe shpifjet që ka bërë Rusia dhe Beogradi, politika sllave për të zhdukur identitetin shqiptar”, përfundoi Ahmeti.