E trishtë: Ky është 35-vjeçari që u gjet pa shenja jete në banesën e tij në Prishtinë

Një rast i rëndë është raportuar mbrëmjen e 11 dhjetorit 2025 në Prishtinë, ku një person është gjetur pa shenja jete në banesën e tij, në kompleksin e njohur si “Banesat e Butrinit”.

Sipas informatave, rreth orës 18:00 është raportuar se një person dyshohet se ka kryer vetëvrasje në banesën ku jetonte. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku kanë takuar dëshmitarët A.H., E.H., dhe A.R.

Dëshmitari A.R ka deklaruar se rreth orës 01:15 të po asaj date kishte dëgjuar një zhurmë që vinte nga banesa e viktimës, ndërsa më vonë, rreth orës 18:00, dëshmitari A.H., ka shikuar përmes shkallëve në drejtim të banesës dhe nga dritarja ka vërejtur personin rreth 35-vjeçar të shtrirë në dysheme, me ç’rast ka njoftuar menjëherë Policinë.

Bëhet fjalë për Gultekin Mehmet, rreth 35-vjeçar.

Pas arritjes në lokacion, njësia policore ka tentuar të hapë derën e banesës, mirëpo e njëjta ka qenë e mbyllur. Dera është hapur me intervenimin e zjarrfikësve. Pas hyrjes në banesë, policia ka hasur viktimën të shtrirë në dysheme.

Në vendngjarje kanë dalë edhe ekipet e emergjencës, të cilat kanë konstatuar se viktima ishte pa shenja jete. Po ashtu, në lokacion kanë qenë të pranishme njësitë e hetimeve rajonale, njësia K-9, Prokurori i Shtetit dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, të cilët kanë tërhequr trupin e pajetë për ekzaminim.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar dhe po trajtohet si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa hetimet lidhur me rrethanat e këtij rasti janë në zhvillim.