
Sot, në ambientet e Shtëpisë së Pleqve “Jetimat e Ballkanit” në Gjinoc të Suharekës, z. Agim Ademi u nderua me një mirënjohje të veçantë nga humanisti Halil Kastrati, si një ndër donatorët e parë për këtë institucion dhe për Organizatën Joqeveritare “Jetimat e Ballkanit”.
Mirënjohja iu dha në shenjë vlerësimi për kontributin e hershëm dhe të vazhdueshëm të z. Ademi dhe familjes së tij në mbështetje të kësaj nisme humane, e cila tashmë është shndërruar në një strehë dinjitoze për të moshuarit që kanë nevojë për përkujdesje dhe solidaritet shoqëror.
Me këtë rast, z. Ademi theksoi se vlerësime të tilla përbëjnë jo vetëm një nder personal, por edhe një motivim të madh për të vazhduar angazhimin në ndihmë të kategorive më të ndjeshme të shoqërisë. Sipas tij, ndihma dhe solidariteti janë vlera themelore që duhet të kultivohen vazhdimisht, duke e shtrirë dorën e përkrahjes aty ku ka më së shumti nevojë.
“Secili prej nesh mund të bëjë një ndryshim, sado i vogël në dukje”, u shpreh ai, duke nënvizuar rëndësinë e përgjegjësisë individuale dhe familjare në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më humane.
Z. Ademi falënderoi në mënyrë të veçantë Halil Kastratin dhe gjithë ekipin e OJQ-së “Jetimat e Ballkanit” për punën e tyre të palodhshme, humane dhe shembullore, e cila çdo ditë u vjen në ndihmë atyre që kanë më së shumti nevojë për përkujdesje dhe mbështetje.
Organizata “Jetimat e Ballkanit”, e udhëhequr nga Halil Kastrati, njihet për aktivitetin e saj të gjerë humanitar në Kosovë dhe më gjerë, duke ofruar ndihmë konkrete për jetimë, familje në nevojë dhe të moshuar, si dhe duke promovuar solidaritetin shoqëror si vlerë thelbësore.










