Në përvjetorin e rënies së Mujë Krasniqit dhe 41 luftëtarëve, kujtohet sakrifica që çoi në themelimin e Ushtrisë së Kosovës.
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar Mujë Krasniqin, Ali Krasniqin, Shkëlzenin, Luanin, Dautin dhe shumë luftëtarë të tjerë, duke i cilësuar si ndër themeluesit e parë të celulave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Sipas Haradinajt, këta luftëtarë qëndruan krah për krah në betejat më të rënda për liri, duke u bërë pjesë e historisë së lavdishme të luftës çlirimtare. Ai theksoi se Mujë Krasniqi, së bashku me 41 luftëtarë të UÇK-së, ra heroikisht në male, duke mbrojtur pragun e shtëpisë dhe nderin e atdheut.
“Pa u lëkundur dhe pa frikë, ata u përjetësuan në kujtesën kombëtare. Aty ku jehuan krismat e pushkëve të tyre, u këndua kënga e lirisë,” ka deklaruar Haradinaj.
Ai rikujtoi gjithashtu se, pikërisht 20 vjet pas rënies së tyre, u themelua Ushtria e Kosovës, duke e cilësuar këtë akt si jetësim të amanetit dhe ëndrrës së kahmotshme për një forcë të rregullt shtetërore.
Haradinaj e përmbylli mesazhin e tij me nderime për UÇK-në dhe dëshmorët e saj, duke theksuar se kujtimi për ta do të mbetet i përjetshëm.










