Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot 27-vjetorin e rënies heroike të Mujë Krasniqit – Kapuçit dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në mesazhin e saj përkujtimor, Presidentja Osmani theksoi se sakrifica e tyre përbën themelin e lirisë së Kosovës, duke u shprehur se ata ranë për t’u ngritur në përjetësi dhe për t’u shndërruar në simbol të përhershëm të kushtrimit për liri.
Ajo vlerësoi se Mujë Krasniqi dhe bashkëluftëtarët e tij zgjodhën nderin mbi frikën dhe atdheun mbi jetën, ndërsa theksoi se liria dhe flamuri i lirë i Republikës së Kosovës janë borxh ndaj gjakut të tyre.
Presidentja Osmani përfundoi mesazhin me nderime të përjetshme për Mujë Krasniqin dhe 41 dëshmorët e UÇK-së, duke riafirmuar mirënjohjen institucionale dhe kombëtare për sakrificën e tyre.










