Hamza: Pagat për ata që paguhen nga buxheti i shtetit do të rriten deri në 50%

Si shtyllë të parë të programit të tij, kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, e ka vendosur zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien. 

Hamza në hapjen e fushatës zgjedhore në Prizren ka premtuar rritje të pagave dhe pensioneve. 

“Pagat për mësuesit dhe arsimtarët, për mjekët, policët, zjarrfikësit, ushtarët dhe për të gjithë ata që paguhen nga buxheti i shtetit do të rriten deri në 50%. Edhe sistemin tatimor do ta bëjmë më të drejtë. Të ardhurat deri në 400 euro, më nuk do të kenë fare tatim. Nga 400 deri në 800 euro, do të tatohen vetëm me 8%. Ndërsa, mbi 800 euro do të takohen me 10%”, ka thënë ai. 

Ka shtuar se me qeverinë e tij do ta shfuqizojë ligjin aktual të tatimit në pronë dhe ta heqë TVSH-në për produktet esenciale dhe energjinë. Pa TVSH në kufi, por pas shitjes, u ka premtuar edhe bizneseve. 

Bizneset e vogla deri në 10 mijë euro qarkullim nuk do të paguajnë më as tatim, ndërsa ato deri në 30 mijë euro qarkullim do të tatohen vetëm mbi fitimin real. Ndërsa, bizneset e reja do t’i mbështesim edhe me kredi, subvencione dhe me burime të reja financimi, përfshirë edhe me zhvillimin e tregut të kapitalit.

Hamza ka prezantuar planin e tij edhe për punëtorët, fëmijët e lehonat.

Ne do ta krijojmë Fondin e Papunësisë, do ta themelojmë Gjykatën e Punës dhe do t’i mbrojmë lehonat, familjet dhe punëdhënësit, duke i mbështetur edhe financiarisht. Po ashtu, për fëmijët do t’i ndajmë edhe nga 50 euro në çdo muaj.

Ai ka shtuar se planifikon t’i legalizojë ndërtimet pa leje me tarifa simbolike, t’i përfundojë autostradat dhe të ndërtojë lidhje të reja rrugore e hekurudhore, ndërsa në energji ka thënë se prioritet e ka sigurinë në furnizim dhe stabilitet.

Hamza ka premtuar ndër tjerash ndërtimin e stadiumit olimpik kombëtar, e reforma në arsimin parashkollor, krijimin e një fondi prej 30 milionë euro në vit për bursa studentore e për të moshuarit qendra kujdesi në çdo rajon të Kosovës. Ndërsa, për qytetarët me sëmundje kronike, përfshirë të moshuarit, ofrimin e ilaçeve falas, pa barrë financiare.

Në premtimet e tij ka përfshirë edhe sigurinë, duke premtuar krijimin e Gardës Kombëtare si forcë operative sipas standardeve të NATO-s, si dhe forcimin e partneriteteve dhe integrimin e Kosovës.