Sot nis Big Brother VIP Albania 5, Ledion Liço zbulon surprizat e sezonit

Sot nis zyrtarisht Big Brother VIP Albania në edicionin e tij të pestë, duke shënuar fillimin e një aventure të re televizive që pritet të dominojë bisedat dhe ekranet gjatë javëve në vijim.

Moderatori i spektaklit, Ledion Liço, e përshkroi rikthimin e formatit si më shumë sesa një program televiziv.

“Big Brother është një ngjarje më shumë se sa një program televiziv. Është një ngjarje që na bashkon të gjithëve,” u shpreh ai, duke zbuluar se publiku duhet të presë “të gjitha ngjyrat” e zakonshme të formatit, por edhe surpriza dhe momente që do të ndodhin për herë të parë.

Sipas Liços, këtë sezon shtëpia është më e bukura që Big Brother ka pasur ndonjëherë, edhe përtej edicioneve VIP, ndërsa nisja e sezonit shënon “fillimin e një aventure tjetër të paharrueshme”.

Pas javësh hamendësimesh dhe spekulimesh, është konfirmuar zyrtarisht konkurrenti i parë i Big Brother VIP Albania 5. Bëhet fjalë për Angelo Haruni, moderator i emisionit Top Talk Economy, i cili njoftoi publikisht hyrjen e tij në shtëpinë më të famshme në vend.

“Sot po e mbyll këtë kapitull me shumë mirënjohje, sepse nesër hapet një tjetër,” u shpreh Haruni, duke bërë të ditur se nga sot hyn në izolim total, pa telefon dhe pa asnjë kontakt me botën e jashtme, ashtu si edhe konkurrentët e tjerë. Ai theksoi se në Big Brother nuk shkon një rol apo një plan i ndërtuar, por njeriu i vërtetë, me emocione, gabime, forcë dhe dobësi.