Roli i shtetit në sistemin shëndetësor vazhdon të keqkuptohet rëndë në Kosovë. Sipas Dr. Ferid Aganit, ish-ministër i Shëndetësisë dhe psikiatër me përvojë të gjatë profesionale, ideja se shteti duhet të bëjë gjithçka vetë është një nga gabimet më të mëdha që po e mban sistemin të bllokuar prej vitesh.
“Shteti i fortë nuk është ai që kontrollon çdo hallkë të sistemit, por ai që vendos rregulla të qarta, garanton standarde dhe mbikëqyr funksionimin e drejtë të shërbimeve shëndetësore”, thekson Agani.
Sipas tij, problemi kryesor sot nuk është mungesa e institucioneve, por mënyra se si ato janë kapur nga ndërhyrja politike dhe administrimi i dobët. Ai rendit si shqetësime kryesore ndërhyrjen politike në menaxhim, mungesën e autonomisë institucionale, paqartësinë e roleve dhe përgjegjësive, si dhe mungesën e llogaridhënies reale.

Dr. Agani rikujton se këto probleme janë pasojë direkte e ndërprerjes së reformës shëndetësore në vitin 2015, e cila u ndal me vendim politik. “Kur shteti sillet si administrator i dobët, sistemi ngec. Kur shteti vepron si rregullator i përgjegjshëm, sistemi funksionon”, vlerëson ai.
Ai thekson se në fund të mandatit të tij, në vitin 2014, u hodhën themelet e këtij ndryshimi me ndarjen e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) nga Ministria e Shëndetësisë. Megjithatë, ngrirja e reformës në vitet pasuese dhe trajtimi i SHSKUK-ut si organizatë buxhetore çoi, sipas tij, në zhvillime regresive edhe më të theksuara.
Qëndrimi i Aganit është i qartë: shteti duhet të fokusohet në politika shëndetësore, standarde, licencim dhe akreditim, mbikëqyrje dhe cilësi, si dhe mbrojtje të interesit publik – e jo në menaxhimin e përditshëm të çdo institucioni shëndetësor.
Në këtë drejtim, ai propozon ndarje të qartë mes politikëbërjes dhe menaxhimit, institucione shëndetësore me autonomi reale organizative, financiare dhe menaxheriale, kontraktim transparent të shërbimeve dhe llogaridhënie përmes rezultateve konkrete, jo deklaratave politike.
“Shteti rregullator i fortë krijon sistem funksional, profesionistë të mbrojtur dhe qytetarë të trajtuar me dinjitet. Reforma fillon vetëm atëherë kur shteti ndryshon rolin e vet”, përfundon Dr. Agani.
Dr. Ferid Agani është kandidat me numrin 9 në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e bazuar angazhimin e tij politik në përvojën profesionale dhe në nevojën për reforma reale e të qëndrueshme në sektorin e shëndetësisë.










