
Gjilan – Ish-kryetari i Komunës së Gjilanit dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë për mobilizim qytetar dhe mbështetje të fuqishme për ndryshim politik në Gjilan, Anamoravë dhe në mbarë Kosovën.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve, Haziri theksoi se situata aktuale kërkon më shumë se kurrë angazhim të përbashkët për t’i dhënë fund stagnimit dhe për t’i rikthyer zhvillimin kësaj pjese të rëndësishme të vendit. Ai kërkoi mbështetje të gjerë qytetare për projektet zhvillimore, me theks të veçantë në infrastrukturë.
Një ndër çështjet kryesore që Haziri ngriti është autostrada Prishtinë–Gjilan–Dheu i Bardhë, projekt që sipas tij është degraduar rëndë nga qeveria në largim. “Një projekt strategjik për Gjilanin dhe Anamoravën u shndërrua në autolloç, duke dëmtuar rëndë interesin publik dhe zhvillimin ekonomik të rajonit”, theksoi ai, duke premtuar se përfundimi i kësaj autostrade do të jetë prioritet i menjëhershëm.
Haziri kërkoi përkrahje plebishitare për, siç u shpreh ai, rikthimin e madh të LDK-së dhe kthimin e vëmendjes institucionale ndaj Gjilanit dhe Anamoravës në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sipas tij, vetëm një përfaqësim i fuqishëm dhe dinjitoz mund të artikulojë realisht kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të këtij rajoni.
Në thirrjen e tij, Haziri u drejtua veçmas grave dhe burrave, të rinjve, profesionistëve të fushave të ndryshme, arsimtarëve, mjekëve, inxhinierëve, sportistëve, njerëzve të kulturës, si dhe bujqve, fermerëve dhe prodhuesve, duke i ftuar t’i bashkohen kauzës për rikthimin e dinjitetit të Gjilanit, të cilin e quajti qytet të kryengritësve më të mëdhenj për lirinë e shqiptarëve.
Ai theksoi se lista e LDK-së në Gjilan është lista më përfaqësuese dhe se qytetarët do të krenohen me përfaqësimin që ajo do të ofrojë në Kuvendin e Kosovës. “Besimin tuaj do t’ua kthejmë vetëm me dashni dhe punë të hajrit për Gjilanin dhe Anamoravën”, u shpreh Haziri.
Në fund të mesazhit të tij, Haziri ftoi qytetarët të zgjedhin shpresën dhe t’i japin mbështetje Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme.










