
Anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Adil Behramaj ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për mungesë të kontributit personal historik ndaj Kosovës dhe kombit shqiptar, si dhe për, siç e cilëson ai, shkëputje emocionale dhe reale nga vendi.
Në një reagim publik, Behramaj ka deklaruar se Albin Kurti “nuk ka histori të vetën” dhe se, sipas tij, nuk ka ndërtuar asnjë trashëgimi konkrete në Kosovë. Ai ka theksuar se Kurti nuk ka varreza familjare dhe as adresë të qëndrueshme në Kosovë, ndërsa ka zgjedhur që familjen dhe fëmijët t’i krijojë dhe t’i rrisë jashtë vendit, konkretisht në Norvegji.
“Kjo e bën kontradiktor diskursin e tij patriotik”, shprehet Behramaj, duke ironizuar imazhin e Kurtit si figurë kombëtare dhe duke e përshkruar atë si “zog shqipeje shumë larg folesë së shqiponjave”.
Sipas Behramajt, Kurti ka qenë historikisht në anën kundërshtuese të proceseve që ai i konsideron si arritje historike të kombit shqiptar, duke mbajtur qëndrime që, sipas tij, kanë relativizuar ose mohuar momente kyçe të shtetndërtimit.
Në reagimin e tij, Behramaj ka përmendur edhe një ngjarje të fundit publike, ku këngëtarja Edona Llalloshi ka interpretuar një këngë të njohur kushtuar patriotit të shekullit XIX, Çun Mula, duke e modifikuar tekstin dhe duke e zëvendësuar emrin e figurës historike me atë të Albin Kurtit. Behramaj e ka cilësuar këtë veprim si “tjetërsim të historisë” dhe “skenë të paturpësisë publike”, duke e konsideruar si shembull të keqpërdorimit simbolik të figurave kombëtare për qëllime politike.
Ai ka theksuar se figura historike dhe trashëgimia kombëtare nuk duhet të përdoren për glorifikim politik të individëve aktualë, sidomos kur, sipas tij, mungon një lidhje reale dhe e dëshmuar me sakrificën dhe historinë e vendit.
Deklarata e Behramajt vjen në një klimë të tensionuar politike, ku diskursi publik po ashpërsohet në prag të zhvillimeve të rëndësishme politike dhe zgjedhore në Kosovë.










