Në 27-vjetorin e rënies së komandant Mujë Krasniqi “Kapuqi” dhe bashkëluftëtarëve të tij, ish-gjenerali i UÇK-së, Lahi Brahimaj, ka bërë homazhe pranë shtatores së heroit, duke nderuar jetën dhe veprën e tij.
Përmes një postimi në Facebook, Brahimaj ka theksuar lidhjen e veçantë që e ka pasur me Mujë Krasniqin që nga ditët e para të organizimit të luftës, duke e cilësuar atë si një strateg vizionar dhe luftëtar të madh.
“Sot, në 27-vjetorin e rënies së komandant Mujë Krasniqi ‘Kapuqi’ dhe bashkëluftëtarëve të tij, në nderim të jetës dhe veprës së tyre, bëmë homazhe pranë shtatores së tij. Me Mujën na lidhin ditët e para të organizimit të luftës, ndërsa historia do ta kujtojë si strateg vizionar dhe luftëtar të madh. Lavdi!”, ka shkruar Brahimaj.
Ai ka përfunduar mesazhin me thirrjen për nderim të përhershëm ndaj sakrificës së dëshmorëve për lirinë e Kosovës.










